VETMIA RRETHANORE DHE VEÇIMI EKZISTENCIAL NË VEPRAT E FLUTURA AÇKËS
CIRCUMSTANCIAL LONELINESS AND EXISTENTIAL SOLITUDE IN THE WORKS OF FLUTURA ACKA
Author(s): Elvira LUMISubject(s): Aesthetics, Albanian Literature, Theory of Literature, Sociology of Literature
Published by: Univeristeti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë
Keywords: loneliness; isolation; canon; mental timelessness; state control; persecution;
Summary/Abstract: A dëshmojnë në të vërtetë shkrimtarët vetminë e tyre kur i lenë karakteret të baresin në vetminë romanore të pashqetësuar për efektin mbi lexuesin? A vjen kjo ngaqë vetë procesi i krijimit është një zeje që bëhet i veçuar dhe në vetmi kozmike?A është denduria e skenave dhe botës vetmitare romanore veç pasqyra e tragjizmit të botës introspektive dhe pasigurisë së mjedisit real të autorit? A është e përligjur në letra shprehja se “Kur je vetëm, je në shoqëri të mirë”? Në veprat e shkrimtares Flutura Açka loja me këto pyetje është akute dhe thuajse në secilën prej tyre akti i vetmimit dhe veçimit ndërton në mënyrë krejt të pavullnetshme hapësira konceptuale unike dhe të shpeshta. Për shkak se objekti i studimit siç është Vetmia, është shumë i gjerë për të rrokur të gjitha veprat, ky studim parashtron një parakalim të shpejtë të qasjes sonë në tre nga romanet në radhën e veprave të shumta të autores. Romani “Vetmi gruaje” (2001) e shenjuar edhe si vepra e parë në prozë e autores, e shpall qysh në titull paradigmën e asaj që ka vendosur të rrëfejë. Veçimi gjinor i shpallur në titull, do të zbulohet shkallë-shkallë në vepër si veçim konvencional njerëzor i pagjini. Në këtë roman analiza e gjendjes “vetmi” do të kërkojë një përsiatje përtej njeriut, kur roli i mjedisit dhe largësisë nga qendra e bazës së rrëfimit, do të jetë tejet i dukshëm në vepër. Personazhet e këtij libri, i cili është pritur me nota të larta në kohën e botimit dhe që shquhet për poetikën e tij - pasi, siç thotë edhe vetë autorja në intervistat e saj, është romani urë i kalimit nga poezia në prozë, prodhojnë dhe absorbojnë vetminë e unit personal në fomë të atillë, sa të duket se romani nuk ka kohë, pra ka kohën e vetmisë së individit-femër por dhe më gjerë dhe çfarëdo rrekjeje për ta vendosur në kohë, dështon. Ka pak karaktere që prodhojnë një univers të tërë të një vetmie që shtrohet në një gjeografi të gjerë dhe në një thellësi psikike të pamatshme. Romani “Kryqi i harresës” (2004) ka një formë tjeter perceptimit të vetmisë, që ndryshe nga ai i ndërtuar nga vetë karakteret në romanin “Vetmi gruaje”, është i imponuar, dhe i detyrueshëm për t’u jetuar nga rrethanat. Personazhet e tij janë në grackën e vetmisë, si një gjendje vetanake që vjen prej pamundësisë, prej së shkuarës, prej varësisë nga fati, prej drojës për të ndryshuar dhe prej detyrimit për ta pranuar. Në thelbin e romanit, pistën e lojës romanore e dikton Kanuni dhe rregullat e tij dhe vetmia e bazës së jetës ritransmetohet si një kod moral në valë të paprerë drejt periferisë së ngjarjes, periferi që kanë një gjeografi shumë të madhe e që luhet në Europën e sotme. Paralelet letrare të veprës është e vështirë t’i përfshish në një prerje të thjeshtë narrative mbi lëvizjen e qendrës së vetmisë romanore, analiza do të kërkojë një thellim në vetë burimin e “konfliktit” romanor dhe prirjet për të mbjellë më shumë vetmi se vetë koha mban nëpër rrëfim. Veçimi, emigrimi për ti shpëtuar gjakmarrjes mbetet një shtegëtim filozofik që gjaksi e ndjek si një fantazmë njeriun e kapur si në grackë. Romani “Ku je?” (2009) ka një formë krejt tjetër të ndërtimit të konceptit të vetmisë dhe veçimi vjen nën kushte represioni dhe tryesnie politike. Vetmia në këtë roman merr formën e elementit mbrojtës nga rrethanat që kërkojnë në të vërtetë një përfshirje shoqërore, ajo është një vetmi personale që siguron një shëndet psikik relativ të karaktereve, deri në një grackë të re të krijuar nga rrethanat, duke e ndërtuar kështu jetën fragmentare “të shëndetshme” në rendin e një pakohësie mentale dhe të sëmurë shoqërore. Vetmia në roman shkon në kufijtë e izolimit kolektiv dhe veçmas individual, pasi lidhet me ngjarjet e viteve 1980, në një qytet shqiptar në diktaturë dhe analiza e saj do të kërkojë një qasje shumëplanëshe të gjeografisë shpirtërore të karaktereve në një gjeografi të vrazhdë të kontrollit shtetëror të jetëve të karaktereve. Metodologjia e punimit është strukturalizmi dhe parimet e tij narrative, metoda e krahasimit midis romaneve të marrë në analizë dhe induksioni dhe deduksioni e rezultateve të analizës romanore.
Journal: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
- Issue Year: 2021
- Issue No: 39.2
- Page Range: 0-0
- Page Count: 12
- Language: Albanian
