NJËQIND VJET VETMI (Fragment nga romani)
Shumë e shumë vjet më vonë, kolonelit Aureliano Buendia, i ndodhur përballë togës së pushkatimit, do t’i kujtohej ajo pasdreke e largët, kur babai e mori me vete për ta njohur me akullin. Asokohe, Makondoja ishte një fshat me njëzet shtëpi prej qerpiçi e kallamash bambuje në breg të një lumi me ujë të kristaltë, që rridhte rrëmbyeshëm nëpër një shtrat prej zajesh të lëmuara, të bardha e të stërmëdha, sikur të qenë vezë parahistorike. Bota ishte ende aq e re, saqë shumë gjëra s’kishin as emër dhe, për t’i nxjerrë në pah, duheshin rrëfyer me gisht. Për çdo vit, në muajin mars, një familje arixhinjsh të leckosur e ngrinte çadrën e vet në afërsi të fshatit dhe, me një potere e zallamahi të tmerrshme prej bilbilash e daullesh, shpallte shpikjet e fundit te botës. Në fillim, ata u treguan banorëve magnetin. Një arixhi trupmadh, me një mjekër të kreshpëruar e me ca gishtërinj si kthetër trumcaku, që u paraqit me emrin Melhiades, ia ekspozoi miletit të fshatit atë, që ai e quante mrekullinë e tetë të dijetarëve alkimistë
More...